Ministrja Haxhiu angazhon avokat që ta padisë Besnik Berishën
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, do ta padisë avokatin Besnik Berisha me akuza për “shpifje” dhe “ofendime”.
Për ta çuar këtë procedurë përpara, Haxhiu ka angazhuar avokatin Nasuf Hasani.
Avokati Berisha pasi u lirua nga arresti, ka thënë se arrestimin e tij “e ka urdhëruar Albulena Haxhiu”.
Tash Berisha dhe Haxhiu do të përballen në gjykatë.
”Ju njoftoj se jam autorizuar nga Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu që ta përfaqësojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës sa i përket paraqitjes së padisë për kompensim dëmi kundër Besnik Berisha, e cila bazë kontesti ka shpifjen dhe fyerjen“.
”Nga sa u njoftuam përmes mediave, z. Berisha paska thirrur nesër një Konferencë, ku e shfrytëzoj rastin ta ftoj të njëjtin që t’i prezantojë provat që dëshmojnë deklaratën e tij të mbrëmshme se Ministrja Haxhiu e paska urdhëruar Prokurorin Rasim Maloku që ta arrestojë të njëjtin“, ka shkruar Hasani në Facebook.
”Në të kundertën, nëse i njëjti nuk e tërheq atë deklaratë nesër dhe nëse nuk kërkon falje, le të përgatitet për betejë ligjore“, ka deklaruar ai. /Gazeta Express

