Ministrja Haxhiu i reagon ofendimeve të Halil Matoshit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër ndaj gjuhës publike të analistit Halil Matoshi, ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministrja Haxhiu në një status në Facebook ka thënë se një ofendim i tillë e Matoshit është thirrje e hapur për dhunë ndaj grave.

“Ofendimet ndaj grave sikur ai i mbrëmshmi ndaj Ministres Nagavci, janë thirrje e hapur për dhunë ndaj grave!”, ka shkruar ministrja Haxhiu.

Haxhiu tutje ka shkruar se gjuha e tillë është e papranueshme dhe është e dënueshme.

Ajo ka bërë thirrje që analistit Matoshi të mos i jepet më hapësirë për pjesëmarrje në debate.

“E dënoj ashpër këtë gjuhë. Është e papranueshme dhe e dënueshme! Njerëzve të tillë assesi nuk duhet t’ju mundësohet pjesëmarrja në debate televizive”, ka shkruar Haxhiu.

Analisti Halil Matoshi, në emisionin Politiko të Kanal 10, e ka ofenduar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci duke e quajtur “budallicë”.

Duke diskutuar për shkeljen e Kushtetutës nga ana e Nagavcit si ministere e Arsimit, Matoshi ka deklaruar se Arbërie Nagavci është “budallicë”.