Miratohet pa votim liberalizimi i vizave për Kosovën

Parlamenti Europian ka miratuar sot liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kryetarja e PE-së, Roberta Metsola, njoftoi se s’ka pasë kundërshtime.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha Metsola.

Ky vendim u prit me duartrokitje nga disa eurodeputetë.

Nesër mbahet ceremonia e nënshkrimit, ku prezente do të jetë vetë Metsola, Jessika Rosëall, ministre suedeze e BE-së që përfaqëson presidencën e Këshillit të BE-së.

Sipas vendimit të dakorduar të institucioneve të BE-së, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen nga 1 janari 2024.

Procedura e vetme e mbetur pas miratimit nga PE është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.