Mirëpritet propozimi për ndarjen e një çmimi me emrin “Skënder Maliqi”

Propozimi i Burim Demirit për ndarjen e një çmimi muzikor me emrin e këngëtarit Skënder Maliqi dhe një tjetri me emrin Arif Isufi, po mirëpritet nga artistë dhe artdashës gjilanas.

Skënder Maliqi, i cili ndërroi jetë në vitin 2012, shquhej për interpretimin e këngës së mirëfilltë e sidomos ishte adhurues i madh i këngëve të Shqipërisë së mesme, të cilave u jepte shpirtin e tij, kudo që paraqitej.

Maliqi i kishte qëndruar besnik këngës deri në momentet e fundit të jetës, shkruan portali mediafokus.info

Ai është shpërblyer disa herë me mirënjohje e çmime tjera në festivalet e ndryshme kombëtare, për interpretim të mirëfilltë, por më shumë se gjithçka tjetër, ka çmuar publikun, që e mirëpriti sa herë që doli në skenë.

Skënder Maliqi nuk hoqi dorë nga kënga as atëherë kur kuptoi se vuante nga sëmundja e pashërueshme.

E donte jetën, prandaj nuk i dorëzohej sëmundjes, por vdekja e ndau para kohe në këtë bashkë udhëtim me këngën.

Solisti Skënder Maliqi ka mbetur në kujtesën e adhuruesve të këngës, si njëri nga zërat më të veçantë që pati treva e Gjilanit dhe melosi popullor shqiptar. Zëri i tij u shua pikërisht në ditëlindjen e 55-të.

Jetësimi i propozimit për ndarjen e një çmimi me  emrin e tij do t`iu bënte nder artistëve dhe artdashësve të muzikës së mirëfilltë./Mediafokus/