Dedikim mallëngjyes i një mësuesje: Mirupafshim nxënësja ime Fixhrije!
Zijavere Sherifi
Rrugët e kurbetit mbesin të pambaruara ashtu siç mbeten edhe këngët. Në këtë rrugë u gjend edhe nxënësja ime Fixherija.
Ora e tretë e mësimit kishte filluar, po kurrë mos filloftë e mbaroftë ashtu.
Heshtje dhe lot vëreja në fytyrat e njoma të nxënësve, mundohesha ta përmbaja veten, e prekur shpirtërisht nga pamja e nxënësve. Ata qanin dhe dënesnin sepse po ndahej shoqja e klasës, ajo po largohej nga shokët dhe shoqet e klasës, nga moshatarët e saj, me të cilët kishte kaluar ditët më të lumtura të fëmijërisë. Ato do të mbeten përjetësisht të pa shlyera në kujtesën dhe në shpirtin e saj të njomë!
Rrugët e kurbetit ndajnë familjarët nga me të afërmit. E dhimbshme, por jeta është me sfida të shumta e herë-herë të pa përballuara, po dosido duhet vazhduar jeta…
Një fat të tillë e paska pasur edhe nxënësja ime Fixhrija dhe familja e saj, që po largohet nga vendlindja dhe shteti i saj ashtu siç ishin larguar edhe shumë e shumë bashkëkombës tanë në një rrugë të gjatë.
Kthimi i tyre e çmallja mbetet një vragë e përhershme.
Fytyra e saj e njome dhe lotët e saj do më mbesin përjetësisht të pashlyera në mendjen time, vështirë për ta përmbajtur veten.
Ne si mësues në raste të tilla mundohemi por më kot, lotët dalin vetvetiu. Në klasë do ju mungojë shoqja e tyre një nxënëse që ishte dhe mbetet një shembull për moshatarët e saj, në emrin e saj në inventar pesëshe të radhitura!
Më dhimbsej Fixhrija dhe moshatarët e saj të përlotur. Ikin nga ky vend i pashpresë nga ky vend ku ardhmëria e tyre është e zbehtë.
Ora mbaroi. E përlotur, ngrohtësisht më përqafoi nxënësja ime dhe unë mezi përmbaja veten në një gjendje të tillë çfarë shihja në fytyrat e shokëve dhe shoqeve të saja.
Urata ime ishte: Të kesh shëndetin dhe kudo që vetesh, Gjuhën e ëmbël shqipe dhe traditat shqiptare t’i kesh në mendje e zemër!!
Lutem që t’u kthehet shpresa të rinjve në këtë vend, kontributi i tyre të jetë pranë popullit të tyre, këtu, ku fëmijët tanë i rritëm me mund dhe djersë!!!


 
 
						 
						