Misterioze: Ngordhin 4.200 rosa
Një fermer bashkë me një numër të madh banorësh të zonës nga fshati Mizë në Divjakë përfunduan në spital me temperaturë të lartë dhe këputje në trup pas kontaktit me rosa të ngordhura.
Ngjarja ndodhi në fermën e biznesmenit Ardian Bakiu, i cili prej vitësh mbarështron rosa pranë një liqeni në fshat.
Përballë një numri kaq të madh shpendësh të ngordhura, biznesmeni rrëfen se ka kërkuar ndihmën e banorëve për të mundësuar groposjen e tyre, por fill pas kësaj ata, bashkë me vetë Ardianin kanë shfaqur simptoma sëmundjeje si temperaturë dhe këputje.
Ardian tregon se banorët e fshatit që i erdhën atij në ndihmë përfunduan menjëherë në spital, dhe vetëm një ditë më vonë edhe ai.
“Më kanë ngordhur 4 200 rosa këtu. Gjithçka nisi në fillim të muajit dhe deri më tani. Thirra disa bashkëfshatarë këtu që të më ndihmonin dhe pas kësaj ata përfunduan në spital me temperaturë të lartë. Edhe unë kam 4-5 ditë me temperaturë që shkon deri në 40 gradë Celsius. Nuk e di çfarë ka ndodhur pasi nuk kanë dalë ende me një përfundim pas marrjes së mostrave nga ferma ime”, shprehet Ardiani për ABC.
Ai rrëfen se gjatë ditës së sotme në fermë kanë shkuar një grup nga Drejtoria e Veterinerisë së Fierit, të cilat kanë vënë të gjithë zonën në karantinë duke bërë ndërkohë edhe zhvarrosjen e shpendëve të ngordhur.
“Erdhën të bëjnë zhvarrosjen ata të drejtorisë së Veterinerisë së Fierit, ndërkohë që nga bashkia me kanë sjellë vetëm një sasi uji pak ditë më parë. Askush tjetër nuk ka ardhur të më ndihmojë”, tregon ai.

