Mjekët dhe mësuesit po përgatiten për greva

Me sa duket, Kosova po hyn në periudhën e grevave, pasi që në shëndetësi dhe arsim, dy sektorë këta vitalë janë paralajmëruar tashmë edhe oraret. Shkas janë pagat.

Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës njofton opinionin e gjerë dhe të gjithë punëtorët shëndetësor se në mbledhjen e mbajtur sot me datë 18.11.2021 ka marrë vendim që të enjten me datë 25.11.2021 të mbajë grevë të përgjithshme një ditore.

FSSHK-së paralajmëron se grevat dhe veprimet të tjera sindikale do të jenë të vazhdueshme nëse Qeveria dhe instancat tjera relevante nuk reflektojnë.

Ndërkohë edhe SBAShK-u ka nisur përgatitjet për protestën e 4 dhjetorit. Në njoftimin e SBAShK-ut bëhet e ditur se kanë nisur takimet konsultative me përfaqësues të këshillave të prindërve, duke filluar me Prishtinën.

Sipas SBAShK-ut, edhe prindërit janë informuar lidhur me situatën në arsim dhe për veprimet sindikale që do të dnërmerren.

Të dyja palët, veç e veç shpresojnë se Qeveria do të reflektojë dhe do të arrihet marrëveshje pa pasur nevojë për veprime të tjera.