Modifikimet e lëkurës gjatë shtatzënisë

Dr Dafina Krasniqi

Gjatë shtatzënisë, shtimi i hormoneve femërore në gjak modifikon ekuilibrin e lëkurës suaj.

Ndryshimet në lëkurë mund të kenë shumë shkaktarë. Disa prej tyre janë të lidhura me ndryshimet hormonale që ndodhin gjatë shtatzënisë.

Problemet tjera të lëkurës mund të kenë ekzistuar para se të mbeteni shtatzënë dhe të ndryshojnë gjatë shtatzënisë.

Ndryshimet e lëkurës gjatë shtatzënisë janë: paraqitja e strijave, paraqitja e papilomave, ndryshime në rritjen e flokëve, puçrra dhe seborrhea, venat dhe kapilarët e zgjeruar, paraqitja e njollave pigmentuese dhe ndryshimi i ngjyrës së nishaneve.

E dobësuar dhe e thatë, lëkura mund të bëhet e parehatshme, herë-herë e ashpër dhe mund të shkaktojë ndjesi tërheqjeje ose kruarje.

Për të shmangur këto shqetësime, është e domosdoshme që t’i jepni lëkurës suaj përkujdesje të përshtatshme për ta ushqyer, hidratuar dhe qetësuar çdo ditë gjatë gjithë kohës.

Nëse përdorni ndonjë ilaç, është mirë që në fillim të konsultoheni me mjekun, në mënyrë që të mos ketë ndikim negativ mbi shëndetin e foshnjës.

Mjeku në vend të ilaçeve, mund t’ju rekomandojë ndonjë terapi të padëmshme për fëmijën.