Mokra – trashëgimi e lashtë e bukës shqiptare
Nga Sabedin Sherifi
Në një kohë kur buka blihet e gatshme në çdo dyqan, pak kujtojnë se dikur bluajtja e grurit ishte një rit i përditshëm, një pjesë e shenjtë e jetës familjare.
Në shtëpitë shqiptare, zhurma ritmike e “mokrës” shënonte fillimin e ditës dhe mbante gjallë aromën e miellit të freskët.
“Mokra” ishte një mulli dore, i përbërë nga dy gurë rrethorë, me të cilin bluhej gruri apo misri për të bërë bukën, e cila nuk mungonte kurrë në sofrën shqiptare.
Ky mjet i lashtë, i njohur në disa krahina edhe si “Heromillo”, është më i vjetër se mullinjtë me ujë dhe dëshmon për mjeshtërinë e popullit tonë në përpunimin e drithit me mjete të thjeshta, por të përsosura.
Gurët e mokrës, të gdhendur me kujdes nga stralli i fortë, përbëjnë një mekanizëm të thjeshtë, por efikas.
Guri i poshtëm mbahet i palëvizshëm, ndërsa i sipërmi rrotullohet me një shkop të futur në një vrimë anësore.
Me fërkimin e tyre, gruri thërmohet derisa të bëhet miell i imët – një proces që kërkonte durim, forcë dhe dashuri për punën.
Përgatitja e gurëve të mokrës ishte një zanat i trashëguar, që mund ta kryente vetëm një usta me përvojë.
Thuhej se çdo gur kishte “shpirtin” e vet, dhe nëse nuk përputhej mirë me tjetrin, bluartja nuk dilte asnjëherë siç duhet.
Prandaj, zgjedhja e gurëve ishte një punë e rëndësishme për çdo familje.
Nga mielli i bluar në mokër përgatitej “Pitja”, një gatim i shijshëm tradicional që piqej në tepsi me gjalpë, djathë dhe erëza aromatike.
Ky gatim hahej pa bukë dhe ishte simbol i mikpritjes dhe i begatisë.
Në kujtesën e të moshuarve ruhet edhe një rrëfenjë e bukur: dy vëllezër, kur u ndanë nga njëri-tjetri, ndanë gjithçka – shtëpinë, bagëtinë, tokën – dhe në fund mbeti vetëm mokra.
Njëri mori gurin e epërm, tjetri gurin e poshtëm. Por asnjëri s’mund të bluante pa tjetrin.
Dhe kur grindeshin, ishin pikërisht gurët e mokrës që i ribashkonin – sepse buka, si jeta vetë, kërkon bashkim dhe durim.
Sot, mokra si objekt mund të shihet vetëm në ndonjë muze etnografik ose në ndonjë shtëpi të vjetër që ruan kujtimin e kohëve të shkuara.
Megjithatë, ajo mbetet një simbol i punës, qëndrueshmërisë dhe unitetit familjar, një dëshmi e kulturës shqiptare që lidh njeriun me tokën dhe me bukën që ushqen shpirtin.

