Molliqaj për protestën e së shtunës: ZRRE-ja të hënën e kthen mbrapa vendimin
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, sërish i ka ftuar tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK t’i bashkohet protestës së nesërme kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Në një konferencë për medie, në sheshin “Zahir Pajaziti”, Molliqaj tha se protesta do të jetë paqësore, por nuk mohoi mundësinë e aksioneve simbolike para ekzekutivit.
Ai tha se propozimi i ZRRE-së duhet të hidhet poshtë dhe për një gjë të tillë do të angazhohen vazhdimisht.
“Kemi një propozim nga ZRRE-ja që nuk është i ZRRE-së por i Qeverisë, që është jo vetëm i papranueshëm dhe i padrejtë por ka shkaktuar edhe një irritim të paparë te qytetarët pasi është shumë i shtrenjtë. Kërkesa e kësaj proteste është që të hidhet poshtë ky propozim, sepse ky propozim në njërën anë i favorizon dhe i faktorizon ata të cilët kanë shumë ndërkaq i ndëshkon dhe u qet një barrë shumë të rëndë të tjerëve që janë shumica në këtë vend. Ftojmë secilin qytetarët partitë opozitare OJQ që ndan bindje të njëjta me ne sepse jemi tërësisht të bindur se numri i madh i protestuesve nesër, të hënën vendimin e ZRRE-së do ta kthejë mbrapa”, ka thënë Molliqaj.

