Morava rrezikon të mbetet një lum i vdekur

Gjashtë komuna të regjionit të lindjes preken nga lumi Morava, që ka një gjatësi prej 50 kilometra në territorin e Kosovës.

Po thuajse çdo vjet lumi derdhet përtej brigjeve të tij dhe përmbyt zonat bujqësore, duke shkaktuar dëme të mëdha.

Komunat janë të pa afta financiarisht ta rregullojnë shtratin e këtij lumi. Edhe qeveria e Kosovë ka dështuar deri tani t`i rregullojë lumenjtë.

Shtrati i lumit nuk është pastruar me dekada dhe në të ka plot pemë të rritura dhe vegjetacion tjetër që pengon lëvizjen e ujit dhe për më keq, ka hedhje të mbeturinave, të cilat kanë zvogëluar edhe më tepër shtratin.

Ndryshe, Lugina e Moravës, një vend me bukuri të rralla në regjionin e Gjilanit, i populluar që nga kohërat më të hershme, burim i jetës me shekuj, rrezikon të kthehet në një luginë të vdekur nga vetë banorët e saj.

Morava dhe degët e saj, dikur të njohura për nga llojllojshmëria e botës bimore dhe shtazore, tanimë është shndërruar në një lumë që bart me vete mbeturina dhe materie shumë të rrezikshme, të cilat nuk e cenojnë vetëm jetën e gjallesave të ujit, por rrezikojnë seriozisht edhe jetën e njeriut, përmes ujërave nëntokësore.

Po ashtu, lloje të ndryshme shtazësh dhe bimësh, nuk gjenden më fare në këto ujëra të ndotura.

Peshqit, si trofta mund të gjenden vetëm në pjesën e epërme të lumit, atje ku fillon rrjedha e Moravës, si një ndër grykat më të bukura, me peizazhe natyrore të krahasueshme vetëm me Lumëbardhin, Mirushën dhe Drinin e Bardhë.

Lloje tjera, si guaskat dhe gaforret, që dikur gjendeshin edhe nëpër qytezën e Vitisë, deri në afërsi të Gjilanit, tanimë janë zhdukur krejtësisht. Fat të njëjtë pati edhe bota bimore.

Lloje të ndryshme bimësh, të ndjeshme ndaj ndotjes, janë zhdukur.

E keqja më e madhe është se pas gjithë këtij degradimi qëndron njeriu, i cili me vetëdije, për shkak të egoizmit të tij, vrapimit pas të mirave materiale dhe ambicieve tjera, po e çon botën drejt shkatërrimit.

Osman Ibrahimaj, një adhurues i madh i natyrës, thotë se natyra do të na hakmerret për degradimin që po i bëjmë./mediafokus.info