“Mos i ndodhtë askujt”, babai i vëllezërve të vrarë në Velipojë tregon se sherri nisi për shezlongët
Pjetër Gocaj, babai i dy vëllezërve Xhovani Gocaj dhe Edmond Gocaj, të cilët mbetën të vrarë gjatë përplasjes me armë në Velipojë, është shprehur para mediave se nuk e di saktësisht si ndodhi ngjarja e rëndë, por shkaku ka qenë vendosja e shezlongëve pranë detit.
“Kjo që më ka ndodhur, mos ndodhtë më kujt, m’u fik dera. Uroj që të mos i ndodhë asnjë tjetri, se janë bërë të shumta. As unë nuk e kuptoj, por për punë shezlongësh. Më kanë vrarë tek dera e shtëpisë dy djemtë. Çfarë më duhet jeta mua? Vitin e kaluar i kam pasur unë shezlongët, këtë vit ia kanë dhënë atij. Nuk kishte përfunduar ndarja, pritëm që të vijnë t’i ndajnë”, u shpreh babai teksa ishte i përlotur.
I moshuari sqaroi se familja e tij i kishte vendosur shezlongët përpara se të bëhej ndarja nga shteti për këtë vit dhe ishte në pritje të autoriteteve për të mësuar saktësisht vendosjen e tyre.
“Ata kanë ardhur në orën 01:00 të natës, unë s’kam qenë. Nuk di asgjë, kanë vrarë djalin tim të madh të parin, që e kam me pasaportë angleze, i cili kishte ardhur për të punuar. Kanë vrarë edhe djalin tjetër, djali i dytë i ka qëlluar edhe ai”, u shpreh babai i vëllezërve të vrarë.
“Me armë nuk sqarohet, i kam pasur shokë, nuk i kam pritur prej tyre këto punë, jemi rritur me ta”, shtoi i moshuari.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Pulaj Plazh të Velipojës, ku mbetën të vrarë: Kujtim Ferracaku, Xhovani Gocaj, Edmond Gocaj dhe Myzerim Zeneli.
Ndërkohë, të plagosur kanë ngelur Hasan Ferracaku, i cili është vëllai i Kujtim Ferracakut dhe Elmilind Dyli, transmeton euronewsalbania.
Në vendngjarje policia ka sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë, që dyshohet se mund jetë përdorur gjatë sherrit.

