“Mos shko n’spital se t’mysin”, si u përgjigjet paragjykimeve dr. Uka?
“Mos shko n’spital se t’mysin”. Kjo është ‘këshilla’ që është shpeshtuar kohëve të fundit nga kosovarët për pacientët dhe familjarët e tyre të prekur nga COVID-19, por që nuk kanë të bëjnë me mjekësinë, shkruan gazeta online Mediafokus.info.
Këtë ‘këshillë’ e quan paragjykim të madh njëri nga doktorët më në zë në Kosovë, anesteziologu i njohur, Dr. Ukshin Ismaili.
Drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit e pranon se ndoshta nuk është bërë sa duhet në vetëdijësimin e njerëzve.
Në një prononcim për Mediafokus.info, ai tregon për punën e madhe që bëhet në 26 repartet e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, të cilët tash e shtatë muaj, sipas tij, po bëjnë përpjekje titanike në shpëtim të jetëve të njerëzve të prekur me COVID-19.
Ai ka një porosi interesante për ata që e japin këtë ‘këshillë’.
“Spitali ka dyert e hapura gjithmonë për pacientë dhe jo për paragjykime. Lëreni paragjykimet t’ju vyshken dhe ejani në spital kur e keni nevojën. Askush s’ju mbyt. Ne kemi qenë këtu shumë më parë dhe do të vazhdojmë të jemi me duar të pastra, mbi betimin e hipokratit gjithmonë”, ka thënë Ismaili.

