Motra e heroit: Në MPJD stafit iu ndalua të flisnin me mua – Isa Kastrati ishte luftëtar i paepur për liri
Shyhrete Kastrati motra e Isa Kastratit, ka treguar se kishte mbetur për nëntë muaj jashtë sistemit në Ministrinë Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ajo tha se nuk i është dukur e përshtatshme menaxhmentit për pozitën që dëshironte dhe se sipas saj i ishte ndaluar edhe stafit të komunikonte me të.
Kastrati tha se kjo ishte një goditje pasi ajo ishte veterane e UÇK-së.
Më pas Shyhrete Kastrati është transferuar në një ministri tjetër.
“Rastin e fundit që e kam pas dhe nuk m’ka ba me u ndje mirë është se kam mbet jashtë sistemit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për nëntë muaj. Si duket kam qenë e papërshtatshme për menaxhmentin, politiken. Unë isha drejtoresh e departamentit dhe ishte drejtoria të cilën unë e kërkoja atë ku kisha punu por me një ndryshim emri. Ajo që e bën me të vështirë atë periudhë është se i është ndaluar stafit që të flasin me mu. Arsyet nuk i di, unë mednoj se ishte goditje e drejtpërdrejtë pas isha si veterane e UÇK-së. Fakti që nuk kisha keqpërdorime në punën time natyrisht që nuk e humba vendin e punës, më transferuan në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal“, tha ajo në T7.
Po kush ishte Isa Kastrati?
Isa Kastrati, luftëtari i papepur për një Kosovë të lirë. Para 26 vitesh ra në altarin e lirisë Isa Kastrati, dëshmor i atdheut, shkruan gazeta online Mediafokus.info.
Rrugëtimi jetësor i Isa Kastratit, deri në momentet e rënies për liri, është i mbushur përplot sakrifica, sfida e heroizma.
Kastrati dhe familja e tij, në vazhdimësi kanë kontribuar në luftën për çlirim kombëtar.
Isa bëri shumë vite burgim, kaloi nëpër shumë tortura, por kurrë nuk u gjunjëzua në rrugën e lirisë.
Ai ishte i bindur se Kosova do ta fitonte luftën dhe ashtu doli.
Si intelektual, si patriot e si luftëtar, Kastrati ishte një kryengritës i përjetshëm, që nuk e njohu asnjëherë fenomenin e frikës.
Është pak të thuhet se Isa e bëri këtë sakrificë për Kosovën, sepse ai e bëri sakrificën e tij për një Shqipëri të bashkuar.
Isa Kastrati u lind më 9 prill të vitit 1947 në fshatin Hogosht të Komunës së Dardanës.
Rrjedh nga një familje me traditë patriotike e atdhetare, nga një familje e cila kurrë s’pranoi shtetin që njihej me emrin Jugosllavi.
Tri herë ishte dënuar me burgim, për shkak të aktivitetit të tij patriotik, por nuk u thye asnjëherë. /Mediafokus.info

