MPB: Përdorimi i mjeteve piroteknike para 26 dhjetorit gjobitet deri në 500 euro

Ministria e Punëve të Brendshme ua ka rikujtuar qytetarëve se përdorimi i mjeteve piroteknike është i lejuar pas datës 26 dhjetor.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, MBP ka paralajmëruar se përdorimi i tyre para kësaj date mund të sjellë gjoba nga 200 – 500 euro.

Ndërsa për prodhimin dhe tregtimin e paautorizuar të mjeteve piroteknike, dënimi është nga 3 deri në 10 vite burgim.

“Përdorimi i mjeteve piroteknike është i lejuar vetëm pas datës 26 dhjetor. Shkelja mund të sjellë gjoba deri në 500€. Siguria është përgjegjësia jonë e përbashkët! Prodhimi dhe tregtimi i paautorizuar i mjeteve piroteknike është i ndaluar dhe ndëshkohet rëndë sipas ligjit. Le të festojmë sigurt dhe të mbrojmë njëri-tjetrin!”, thuhet në njoftim.

Kjo fushatë është përgatitur me mbështetje financiare nga Gjermania, Suedia, Holanda, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia përmes Fondit të Mirëbesimit për Kontrollin e AVL-ve në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian.