Mungesë e theksuar e specialistëve të Emergjencës në Kosovë
Më shumë se 93 mijë pacientë janë trajtuar vetëm gjatë vitit 2022 në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërsa 38 mijë prej tyre kanë qenë nga komuna e Prishtinës, shkruan EkonomiaOnline.
Sipas drejtorit të Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, duhen ende mjekë specialistë për të përballuar fluksin e qytetarëve. “Në Qendrën Emergjente i kemi 25 specialistë që 23 prej tyre punojnë me ndërrime. Për momentin mua më duhen edhe 39 specialistë të Mjekësisë Emergjente që me mbërri minimumin e standardëve botërore. Sipas standardeve botërore në 100 mijë banorë duhet me qenë 14.9 specialistë të emergjencës, ndërsa ne në 2 milionë banorë i kemi 2.6 specialistë”, thotë Syla.
Kosova për shkak të ikjes së infermierëve dhe mjekëve specialistë është duke u ballafaquar me një boshllëk të madh në sistemin shëndetësor.


 
 
 
						 
						