‘Mungojnë faktet’, thotë zëdhënësi i Qeverisë për aferën e përgjimeve në Ministrinë e Liburnit
Zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu është deklaruar sonte për përgjimet e publikuara nga Gazeta Nacionale, lidhur pretendimet për ryshfeti në Ministrinë e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Liburn Aliu.
Kryeziu tha se Qeveria Kurti është e pakorruptuar.
“E pash videon, të cilës i mungonin faktet, por kishte me bollëk interpretime. Ndoshta është përpjekja për të krijuar një Pronto 2 por kjo nuk ndodh me Qeverinë Kurti. Nëse ka diçka që është e pakontestushme është fakti që kjo qeveri nuk ka korrupsion”, tha Kryeziu në Kanal 10.
I pyetur nga gazetari se si dëshmohet kjo, ai foli për rrafshin dhe motivet politike.
“Kjo qeveri është jo e korruptuar dhe e lufton korrupsionin. Po dëshirojnë ta fusin qeverinë në rangun e qeverive të kaluara”, tha Kryeziu.

