Mungon ish-deputeti Naser Rugova, shtyhet gjykimi ku i njëjti po paditet për kthimin e afro 16 mijë euro borxh

Në mungesë të ish-deputetit Naser Rugova është shtyrë seanca e së premtes, në rastin ku i njëjti është paditur nga “Beni Dona Plast”, për kthimin e 15 mijë e 500 eurove borxh.

Lidhur me mungesën e të paditurit Rugova, gjyqtarja Uvejsë Hyseni konstatoi se i njëjti ftesën e ka pranuar më 20 maj 2022, mirëpo me parashtresën e 30 majit 2022, e ka njoftuar gjykatën se e ka të pamundur të marrë pjesë në seancë, për shkak se ka takim të karakterit profesional dhe akademik të caktuar kohë më parë,

Gjykatësja Hyseni tha se i njëjti i ka propozuar gjykatës që seancën ta shtyjë për një ditë tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i “Beni Dona Plast”, avokati Samir Morina e ka kundërshtuar propozimin, për shkak të mungesës së provave për të arsyetuar një gjë të tillë.

Kurse, gjyqtarja Hyseni e ka aprovuar propozimin e Rugovës, duke e detyruar të njëjtin që gjykatës t’ia prezantojë provën që do të vërtetojë faktin se ditën e sotme ka qenë jashtë vendit.

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua për 13 korrik 2022.

Ndryshe, me padinë e ushtruar me 6 nëntor 2014, Shoqëria “Beni Dona Plast” të cilën e përfaqëson Ragip Mustafa, ka paditur Naser Rugovën, duke kërkuar kthimin e borxhit.

Sipas padisë, paditësi Mustafa duke u bazuar në marrëdhëniet e mira që kishte me të paditurin Rugova dhe që t’i del në ndihmë, më 13 prill 2012, të njëjtit ia kishte huazuar shumën në lartësi prej 15 mijë e 500 euro, me afat kthimi deri më 20 prill 2012.

Tutje thuhet se Mustafa i ka kërkuar Rugovës kthimin e borxhit, por i njëjti nuk e ka kthyer dhe nuk i është përmbajtur asnjë afati, madje as afatit të fundit të 11 shtatorit 2014, ndërsa pas kësaj paditësi i ka dhënë edhe një afat shtesë, të cilit i padituri nuk i është përmbajtur gjithashtu.

Mbi këtë bazë, paditësja “Beni Dona Plast” me përfaqësues Ragip Mustafën, përmes padisë ka kërkuar që i padituri Naser Rugova t’ia paguajë borxhin me kamatë 8%, duke e llogaritur nga 21 prilli 2012, si datë kur është dashur të kthehet borxhi, si dhe shpenzimet e procedurës.

Kurse, Naser Rugova me përgjigjen në padi të ushtruar më 30 nëntor 2016, ka thënë se në padi Ragip Mustafa nuk e tregon realitetin dhe e shtrembëron atë duke potencuar se i janë huazuar mjete në mënyrë që t’i dalë në ndihmë të paditurit.

Sipas përgjigjes në padi, pagesa ka qenë për arsye afariste – konsulence për dobi të kompanisë “Beni Dona Plast” dhe jo për dëshirë dhe dobi të të paditurit Rugova.

Rugova në përgjigjen në padi ka theksuar se konsulencat, projektet e fizibilitetit, apo edhe veprimet e marketingut mund të kenë sukses dhe benefite për kompaninë, por mund edhe të mos realizohen, në këtë mënyrë ka qenë edhe marrëdhënia e tij me Mustafën, për një konsulencë lobimi dhe në asnjë mënyrë huadhënie.

Po ashtu, në përgjigje në padi, Rugova e konteston plotësisht padinë dhe pret vazhdimin e procedurave të parapara me ligj.