Musa Ajeti, profesori i njeriu i numrave dhe pitagorave

Me rastin e pensionimit të profesorit universitar Musa Ajeti, autor i Librit të parë elektronik në viset shqiptare për klasat 5 e 6 fillore, sikurse edhe i shumë përmbledhjeve të detyrave dhe punimeve shkencore nga matematika, Mediafokus risjellë një shkrim të botuar në vitin 2013 për ‘njeriun e numrave dhe të pitagorave’.

———————

Musa Ajeti e ka shndëruar Preshevën (vendlindjen e tij) në qytet të matematikës dhe të olimpiadave, ku të rinj nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia bashkohen për të matur dijet e tyre.

Ajeti, doktor i matematikës, i cili në Preshevë njihet si gjeni i numrave, njeriu i pitagorave dhe i numrave, është adhurues i madh i garave, sepse ato e forcojnë karakterin sfidues te nxënësit.

Ajeti nuk mjaftohet vetëm te mësimdhënia, por është i përkushtuar edhe në punime, tema e debate të ndryshme shkencore në fushën e matematikës.

Nuk mburret me rezultatet e arritura shkencore, por as nuk i mungojnë ato. Ka bërë emër në arsimin shqip, por pretendon edhe më tepër.

Dallon nga kolegët e tij si novator i shkencave të natyrës dhe si studiues i madh i lëndës së matematikës, ku ka botuar shumë tekste shkollore.

Është tërësisht i dhënë pas librave, garave, olimpiadave, studimeve, seminareve, punimeve shkencore, pjesëmarrje nëpër konkurse shkollore dhe veprimtari tjera të fushës së matematikës, ku gara bazohet në numra.

Aq shumë është i mishëruar me matematikën, sa që me vete bart librat e tij të kësaj shkence, ngado që shkon dhe i shpërndan ato tek arsimdashësit.

Çdo njeriu të arsimit i dhuron libra e tekste shkollore të matematikës, të cilat i ka botuar vetë.

Njeriu atë e gjen nëpër fakultete, biblioteka, arhive, shkolla, institucione arsimore e shkencore, në takime me studentë, njerëz të shkencës, por atë e gjen edhe duke shfletuar e shkruar libra jo të artit letrarë, por libra të numrave apo të këndeve të ndryshme të matematikës.

Kjo është bota e tij shkencore. Botë e veçantë e jetës së tij. Është njeri që nuk i imponohet. E ka një veçanti të personalitetit.

Dr. Musa Ajeti flet e s’ndalet për trupat gjeometrikë, për gravitacionin, për arritjet e tij të shumta shkencore. Është doktori i parë gjeometrisë analitike në Kosovë e më gjerë. Ai jeton me numrat.

Është i lindur më 6 janar të vitit 1961 në fshatin Peçenë, komuna e Preshevës. Tash është me vendbanim në Gjilan. Është edhe shtetas i Republikës Kosovës.

Shkollën fillore e ka të kryer në fshatin Sopot, Republika e Maqedonisë. Ka studiuar në Rijekë të Kroacisë. Ka doktoruar në Plovdiv, në temën ”Tri prodhimet në hapësirën katërdimensionale të lidhur afine pa tensor”.

Ka punuar në Kumanovë, në Preshevë, Bujanoc, në Gjilan.

Veprimtaria shkencore e dr. Musa Ajetit është mjaft e voluminoze, e cila në vete ngërthen tekste shkencore nga dija e matematikës.

Këto tekste ai i ka botuar për ndihmuar shkollarët e rinj, të cilët për herë të parë takohen me gjeometrinë analitike etj.

Është autor i dhjetëra teksteve mësimore si dhe i librit të parë elektronik në viset shqiptare. Këto tekste përdoren në gjithë trevat shqiptare, Po ashtu ka publikuar shumë punime shkencore.

Ka organizuar Olimpiadën mbarëkombëtare në vitin 2010 në Preshevë, ku kanë marrë pjesë R. e Kosovës, R. e Maqedonisë, R. e Shqipërisë si dhe Lugina e Preshevës.

Vlen të përmendet punimi i tij që është botuar në Japoni, ku janë 72 prodhime që paraqesin 72 invariante ku deri më tani janë njohur vetëm 35 prodhime.

Këto “zbulime” dr. M. Ajeti i ka arritur duke iu falënderuar prof. dr. Georgi Zlatanov, sepse ky është profesori që është i vetmi në botë që njihet si shkencëtari, i cili ka arritur të zbulojë formulat 11 (D) dimensional.

Ka punuar në Institutin e Gjeometrisë në Kazan, Rusi dhe njihet si baba i Gjeometrisë i të gjithave kohërave.