Musa Ramadani më tha: “Jam duke e pritur vdekjen”
Fahri Musliu
Në listën e personave për intervistim për filmin dokumentar BEKIM FEHMIU, ishte edhe Musa Ramadani, miku më i ngusht i aktorit më të madh shqiptar të filmit Bekim Fehmiut.
Dëgjova se është me shëndet të lig. I telefonova një ditë para xhirimeve në fillim, në fillim të shkurtit.
U lajmërua Musa me një zë të pa forcë që dëshmonte se sëmura e ka rraskapitur.
I tregova shkakun e telefonatës, dhe ai ma ktheu me plotë emocione
“Kam dëgjuar Fahri, shumë më bëhet qejfi, por ja se jam i pa forcë. Jam duke e pritur vdekjen”.
Këto fjalë më prekën shumë. Mundëhosha t`i jap kurrajo duke i thënë se do ta kalojë edhe këtë sfidë.
Më përgjigjej me gjysmë zëri. “Jo Fahri, nuk kam shpëtim, jam i lodhur. Të përgëzoj për këtë fillim.
Ti i ke dal hakut Bekimit edhe me monografinë. Po e bënë atë që është dashur ta bëjnë institucionet.
Unë jam duke i numëruar ditët e fundit. Nuk kam shpëtim. Më vjen shumë keq që nuk mund të flas.
Unë Bekimin e kam dashur si vëlla, meqë vëlla nuk kam pasur. Jemi shoqëruar me dekada dhe ia di imtësitë më të thella të jetës.
Ka qenë i madh, shumë i madh edhe si aktor, edhe si njeri, edhe si intelektual, edhe si atdhetar.
Njeri i tillë nuk lind më.
Patëm fat që ishte yni, por ne nuk e vlerësuam e shfrytëzuam, madje edhe e injoruam e etiketuam.
Ai e ka merituar më shumë…Më vjen shumë keq që Bekimi nuk pati fatin të luaj në ndonjë film apo dramë shqipe.
Për këtë ka vuajtur edhe ai shumë, edhe pse i bëri disa përpjekje por të pasuksesshme.
Vdekja e tij më ka lënduar tepër shumë se e humba një pjesë të jetës time.
Jam i sigurt se do t’ia dilni ta punoni një film të mrekullueshëm, siç e ke punuar edhe monografinë.
Kam besim në ty por edhe në ekipin që e ke zgjedhur. Ju uroj shumë sukses”.
Zëri i dridhej dhe dukej se shpërtheu në vajë.
Iu falenderova për bisedën e uratën dhe i dëshirova shërim të shpejtë, dhe ashtu i pikëlluar e mbylla receptori.
Lavdi e përjetshme Musa Ramadani. U prehsh në paqe, kolegu dhe miku i dashur bashkë me Bekim Fehmiun./mediafokus.info


