Musliu reagon ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale, kërkon mobilizim të qytetarëve përmes protestave të pandalshme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke kërkuar mobilizim të qytetarëve përmes protestave të pandalshme, si në Kosovë ashtu edhe në Bruksel.
Në një reagim të publikuar, Musliu e ka cilësuar hipokrite çdo qasje që kërkon heshtje në emër të mosndërhyrjes në drejtësi, duke paralajmëruar se një qëndrim i tillë i shërben vetëm kundërshtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Mos na e mbyllni gojën me parullat: ‘Rrini urtë se i dëmtojmë!’ apo ‘Heshtni se kuptohet si ndërhyrje në drejtësi!’ Kjo qasje është hipokrizi e pastër dhe çon ujë vetëm në mullirin e kundërshtarëve të djemve të UÇK-së,” tha Musliu.
Sipas saj, që nga fillimi, Gjykata Speciale ka qenë vazhdimësi e proceseve të UNMIK-ut dhe EULEX-it, me synim të qartë për të ndjekur penalisht ushtarët e UÇK-së. Ajo akuzoi gjithashtu bashkësinë ndërkombëtare dhe disa faktorë të brendshëm për heshtje të qëllimshme dhe për manipulim me opinionin publik.
Deputetja e PDK-së ngriti pikëpyetje serioze ndaj rolit të institucioneve të Kosovës dhe qeverisë aktuale përballë zhvillimeve në Hagë.
“Ku janë institucionet e Republikës së Kosovës? Çfarë bëri qeveria përballë kësaj gjykate? Kosova sot qëndron pa qeveri, pa institucione dhe pa agjendë. Mos vallë edhe ky ngërç institucional është i sponsorizuar nga të njëjtit donatorë sikurse edhe Gjykata Speciale?” shtroi ajo.
Musliu përfundoi me një thirrje të drejtpërdrejtë për veprim qytetar, duke e quajtur procesin e Hagës si “epilog të turpit special të Bashkimit Evropian” dhe duke ripërsëritur se Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij do të mbeten përjetësisht çlirimtarë.
“Liria ka emër – edhe hipokrizia po ashtu! Koha është për veprim. Tani!” përmbylli ajo reagimin.

