Mustafa i heq “vijat e kuqe” për PDK-në, në rend të parë është interesi i i vendit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se partia e tij tashmë ka hequr të gjitha vijat e kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës.

Derisa ka folur për propozim aktakuzat ndaj të parit të vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Mustafa thotë se kjo mund t’i sjellë para një situate të rëndë e ku thekson se nuk duhet të mendohet për interesa partiake por për ato të vendit.

Mustafa ka shtuar se ka besim në luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Meqenëse nuk kemi biseduar nuk mund të them pranohet apo jo, por ajo çka unë kam thënë publikisht, është se vijat e kuqe ne të cilat i kemi vënë përpara ato vija të kuqe tani duhet t’i heqim edhe në situatën e tanishme por edhe kur të vijmë në zgjedhjet e ardhshme për arsye se shumë vështirë po mund të bëjmë zgjidhje, duke izoluar ose duke dhënë ndalesa të bashkëpunimit në disa subjekte politike, sidomos tani situata e cila u krijua para një kohe me paralajmërimin e aktakuzave kundër presidentit të vendit dhe kryetarit të PDK-së, na sjellë në një situatë të rëndë ku ne duhet më shumë të mendojmë për interesa të vendit sesa të lidhemi vetëm për interesa partiake. Unë nuk dëshiroj t’i komentoj ato sepse duhet të mbesin çështje të drejtësisë. E vetmja gjë që mund të them është se ne duhet të kemi besim në drejtësi dhe të apelojmë që institucionet e drejtësisë ta bëjnë në mënyrë profesionale, në mënyrë të pandikuar dhe që ta vënë drejtësinë në vend. Unë kam besim të madh në luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në asnjë rast nuk e shoh që gjykata mund ta njollosë përmes veprimeve të saj këtë luftë”, tha Mustafa.

Ani pse Vetëvendosje ka kërkuar mbështetjen e PDK-së për mocionin ndaj Qeverisë Hoti, Mustafa ka thënë nuk sheh ndonjë përkrahje ndaj nismës për rrëzimin e Qeverisë.