Mustafa: Kosova e ka Presidentin, po flitet para kohe për këtë post

Shefi i LDK-së, Isa Mustafa, konsideron se rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve me AAK-në është dialogu, por nuk e përjashton edhe mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

E konsideron të pranueshme edhe mundësinë që qytetarët të ballafaqohen edhe me një proces të ri elektoral për zgjedhje parlamentare.

Por, ish-Kryeministri i Kosovës sheh probleme te zgjedhja e Presidentit, pas zgjedhjeve të reja, nëse partitë nuk gjejnë zgjidhje tash.

E, tash për tash, LDK nuk po e synon pozitën e Shefit të Shtetit pasi e ka pozitën më të rëndësishme në Shtet – Kryeministrin.

Megjithëkëtë, ai  thotë se çështja e zgjedhjes së Shefit të Shtetit po diskutohet para kohës, pasi Kosova e ka një President.

“Për zgjedhjen e Presidentit po flitet para kohe. Presidenti është në zyrë me autoritet kushtetues. Kur t’i vjen koha do të provojmë të gjejmë një pajtim për një kandidat. LDK tani ka Kryeministrin dhe nuk pretendon edhe pozitën e Presidentit. Shpresoj se do të gjendet zgjidhja, sepse ndryshe shkojmë në zgjedhe të përgjithshme, të cilat nuk na garantojnë se pas tyre kemi zgjidhje për President, kushdo qoftë ai”, tha Mustafa.