Mustafa nuk e quan Kurtin tradhtar, por ka një cilësim tjetër për të

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar darkën e mbrëmshme në Berlin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuiçiq.

Takimi i Kurtit me Vuçiqin u kritikua në Kosovë, marrë parasysh deklaratat e Kurtit para se të vinte në pushtet, se nuk do të takonte përfaqësuesit e Serbisë pa kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë.

Ish-kryetari i LDK’së ishte ndër më të kritikuarit nga Kurti, pasi ishte takuar me Vuçiqin në kuadër të negociatave Kosovë-Serbi derisa ishte shef i ekzekutivit të Kosovës.

Nuk mund të lëshohem në nivelin e Kurtit e as të bashkëpunëtorëve të tij. Kanë qenë sjellje rrugaçësh, të rrezikshme për vendin por edhe për jetën e atyre që i shpallnin tradhtar. Me ato sulme, etiketime e parulla të rrezikshme erdhën në pushtet dhe ky vet u ul gju më gju me Vuçiqin. Nuk shoh asgjë të veçantë që është takuar me Vuçiqin sepse është punë që duhet ta bëjë kryeministri në dialog. Për këtë, unë nuk e quaj tradhtar. Mashtrues po, sepse i ka mashtruar analfabetët e vet funksional për të ardhur në pushtet dhe vazhdon t’i mashtrojë”, ka thënë Mustafa për lajmi.net.

Në fund, Mustafa ka deklaruar se është i bindur që Kurti “do t’i gëlltisë të gjitha marrëveshjet dhe dokumentet që janë arritur dhe do të nënshkruaj marrëveshje edhe më të ndërlikuara”.