Mustafa për sondazhet e VV-së: Në LDK nuk iu besojmë fare përrallave

Rrëzimi i Qeverisë nuk mund të jetë asnjë arsye që LDK-ja të dëmtohet në zgjedhjet e ardhshme sepse Qeveria Hoti nuk e ka shkelur Kushtetutën, kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa.

Mustafa tha se në zgjedhjet e parakohshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të dalin më të mirët.

Madje, ai tha se në këtë parti nuk iu besojnë fare përrallave, duke iu referuar sondazheve të fundit që po e nxjerrin Vetëvendosjen si fituese të zgjedhjeve, duke i quajtur të porositura nga kjo e fundit.

Mustafa theksoi se në zgjedhje do të hyjnë me besimin nga qytetarët për programin dhe për punën që ka bërë Qeveria Hoti.

“Si LDK nuk iu besoj fare sa përrallave aq iu besoj këtyre sondazheve të Vetëvendosjes dhe të porositura nga ajo. Ne njihemi mirë në Kosovë kush çfarë anëtarësie ka, cilët votues i ka. Njihemi mirë edhe me sondazhet dhe mënyrën e organizimit të tyre. Në zgjedhje nuk do të hyjmë me kompleksin e sondazheve  por do të hyjmë me besimin që presim nga qytetarët për programin tonë dhe për punën që ka bërë qeveria Hoti”, ka thënë Mustafa.