Mustafa reagon pas lirimit të avokatit Berisha, e krahason Qeverinë Kurti me UDB-në

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas lirimit të avokatit Besnik Berisha, pasi që i njëjti u arrestua për 48-orë të enjten.

Mustafa, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka implikuar pushtetin në arrestimin e Berishës, teksa e ka krahasuar metodën e, siç tha ai, eliminimit të kundërshtarëve me atë të Administratës së sigurisë Shtetërore (UDB) të Serbisë, shkruan Gazeta Insajderi.

“Drejtësia sot nuk e cilësoi kriminel avokatin e mirënjohur kosovar, Besnik Berisha. Doli që kriminel mund të jetë pushteti, që porositi apo ndikoi në arrestimin e tij. Në arrestimin e kompetencës profesionale, arrestimin e guximit për të shprehur mendimin; arrestimin e dinjitetit njerëzor. Dolën të zhgënjyer ata që deshën të njollosin qeverinë që unë e drejtova duke aluduar se u arrestua për krim ish këshilltari i saj (do të thoja për “nacionalizëm e irredentizëm”, siç ua mveshte UDB-ja jugosllave atyre që i ndiqte ti eliminonte e s’kishte argumente dhe fakte për ndonjë vepër konkrete)”, ka deklaruar Mustafa në ‘Facebook’.

Ish-kryeministri Mustafa ka akuzuar pushtetin për kundërshtimin e kërkesave të veteranëve të UÇK-së, teksa edhe ka përshëndetur vendimin e gjykatës për rastin e Berishës. Ai lëvdata ka pasur edhe për përfaqësues medial.

“Por, duhet të gëzohemi se gjyqësia, të cilën shpesh po e kritikojmë, pas debatit maratonik për këtë rast, u tregua e drejtë dhe nuk u dorëzua para kërkesave absurde të karaxhozëve që deficitet e tyre profesionale i kompensojnë me aleanca me pushtetin; të cilët e harrojnë betimin e dhënë për zbatimin e Kushtetutës por bëhen hyzmeqarë të atyre që kanë dalë nga fakulteti pa bërë fakultet . Është inkurajues guximi i disa përfaqësueseve të mediave për shprehjen pa hezitim të mendimit të tyre për personalitetin e avokatit Berisha, dhe atë jo për të ndikuar në drejtësi por për të kërkuar drejtësi, siç është edhe ky opinion imi”, ka deklaruar ai.