Muzika shkel politikën, Ibrahim Tatlises shkon në Jerusalem për koncert

Raportet në mes të Turqisë dhe Izraelit kurrë s’kanë qenë të mira. Për shkak të Palestinës, Erdogan ishte përplasur ashpër me Shimon Peresin në një forum në Davos.

Por, pavarësisht këtyre raporteve, muzika është ajo që bashkon dy popujt.

Këtë muaj në Jerusalem do të mbajë një koncert legjenda e muzikës turke, 70-vjeçari Ibrahim Tatlises, shkruan Haaretz.

Këngët e Tatlisesit pëlqehen shumë në Izrael, derisa shumë këngëtarë izraelit i kanë përpunuar këngët e yllit të vjetër të muzikës turke, i cili pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore nuk e ka ndalur aktivitetin e tij muzikor.

Në këtë shkrim të Haaretz kanë folur shumë këngëtarë izraelit të cilët kanë ribërë këngët e Tatlisesit, e të cilave vetëm ua kanë ndërruar titullin.

Por, pse kjo ndërlidhje në muzikë mes Izraelit dhe Turqisë po ndodh më shumë tani se që kishte ndodhur para dhjetë apo 20 vjetësh.

Për këtë ka folur këngëtarja turke, Kalben, e cila edhe ka realizuar një bashkëpunim me këngëtarin izraelit, Dudu Tassa. Ajo për Haaretz ka thënë se tashmë janë një gjeneratë e re, me mendje të hapur që duan ta shijojnë jetën.

“Sepse brezi ynë ka një mendje të hapur. Ne duam të jetojmë. Ne duam të argëtohemi. Ne duam të mësojmë për veten dhe për të tjerët. Ne nuk duam të jemi të huaj për njëri-tjetrin. Ne refuzojmë ksenofobinë. Ne refuzojmë kufijtë. Ne refuzojmë paragjykimet. Njerëzit e moshës sime, 35-40 vjeç, dhe ata pak më të rinj, nuk duan të merren më me këtë gjë. Mendoj se artistët janë shumë të vetëdijshëm për të gjitha këto. Ne duam t’u tregojmë të gjithëve se çdo gjë që nuk përfshin muzikë dhe dashuri nuk vlen shumë.”, ka thënë ajo.