Na ishte njiherë n’Pejë
Përshtypje p’ej leximit të romanit Gryka e Kohës, të Migjen Kelmendit
Nga” Ragip Luta
T’ish kanë film, lirisht kish mujt me u fut n’kategorinë e Once Upon A Time In The ëest, Once Upon A Time In Neë York apo edhe Once Upon A Time In Hollyëood. Epik, n’tana kuptimet, e sidomos spektakular.
Nji botë e ringjallun, e rikrijume, e imagjinueme – cilen me qitë t’paren? – me mjeshtri t’hollë, e ndjeshmëni që rrallë, a hiç, e lexon në prozën tonë. P’ej momentit kur narratori t’fton me shkelë në botën e gjyshit të tij (“Kur pat mbërri Revolucioni n’Pejë, gjyshin tem e kish pa nxanë tue…”), e kupton që po merr udhë në shoqninë e nji tregimtari që ka nji t’kuptuem e perceptim të veçantë të personazheve, momenteve, situatave t’zakonshme e zhvillimeve historike.
N’prozën shqipe, “Gryka e kohës” çelë tokë t’re, kishin me thanë pleqtë, tue nisë në rrafshin gjuhësor, që paraqet njifarë çlirimi, njisoj siç ishin edhe projektet e tjera të Migjenit, Java, e ma pas edhe Rrokumi. Nuk merr n’thu n’fjalë a shprehje falls që nuk i ndigon (!) n’jetën e përditshme. “Vernakulari asht gjuha në të cilen jetojmë e mendojmë. Edhe tingëllon ma mirë, shumë ma reale…” thotë autori skocez, Irvin ëelsh, i njohun për përdorimin e gjuhës së folun në veprat e tij.
Përveç se me gjuhën e përpiktë, që i kap edhe nuancat ma suptile (Ramë Ujkani e mbajke edhe nji hije deke në ftyrë, të cilën ja puhiti buzëqeshja që i shkaktoi Arifi me tanë atë gëzim të tijin…), me mënyrën qysh i prek zhvillimet historike përmes personazheve ‘margjinale’ n’fokus, e tue i qitë vetë zhvillimet historike n’sfond a n’margjinë, romani ma kujtoi n’momente “Underëorld”-in e Don DeLillo-s. Këtu kisha me përmend paraqitjen cameo të Hasan Prishtinës n’ambëltoren e Menduh Ali begit n’Shkup edhe n’burg n’Kalanë e Kalemegdanit, Ramiz Sadikun si ciceron turistik…
Shpërblimet për lexuesin janë t’shumta në shumë nivele. Nuk t’doket që veç je tue lexu roman, po – për shkak të gjuhës aq evokative – t’bahet që je në naj galeri me tablo gjigante t’Bistricës së shterun (si naj shkretinë surrealiste e mbushun me artefakte që kallxojnë histori, mes tyne kapela e kashtës e mis Edit Durhamit, të cilën e kish pas gjuejtë n’Bistricë “mbasi ja kishin pas përkeshë rugovasit”), festimit të jevgjëve n’inaugurimin e stacionit të hekurudhës n’Pejë (me ngjyrat e dimijave, paricat e konturat e fshime si me brushë t’naj impresionisti francez), a bombardimin e Pejës, që me atë kornizimin e përshkrimit brenda dritares së bakallhanes mue m’u dok sikur i ban homazh Gernikës së Picasos.
Romanin e përshkon nji humor i veçantë fun e krye që nuk m’ka bâ përshtypje n’versionin n’standard të “Grykës…”! Definitivisht jo kaq shumë. Sa edhe kur e lëshon librin p’ej dore t’kujtohen skena që t’bajnë me keshë me zâ. Seni ma i mirë që kam lexu najherë, shqip!
Pothujse paralelisht po e lexoja edhe librin e fundit të Haruki Murakamit, “Novelist as a vocation (Novelist si vokacion)”, që Dimali e Drini ma kanë ble si dhuratë për këtë vit t’ri. Në nji kapitull të tij, n’përpjekje për me përkufizu origjinalitetin, Murakami i referohet muzikës së Bitëllsave për të cilen thotë se kur u dalë ishte e freskët, energjike, që nuk munet m’u ngatërru me muzikën e dikujt tjetër” (fresh, energetic, unmistakably their oën) – qasi asht edhe stili i Migjenit si novelist.
Tash që romani ka marrë udhë jashtë kufijve t’vendit – këto ditë asht botue n’maqedonisht, me nji kopertinë që nxit kureshtjen edhe ma shumë, e që besoj se âsht veç fillimi – Gryka e kohës, ashtu qysh përfundon, t’ban me pritë ma padurim vazhdimin. Unë e shoh gjithsesi si pjesë të nji trilogjie.
Nashta e keni lexu, po nëse nuk e keni lexu, nuk asht e thanë me ble, muni me huazu p’ej dikujt – jo kopjen teme 🙂 – po mos e leni pa e lexu! Jam i sigurt që edhe ju keni me lyp henez!

