“Na lokes kemi hanger bukë t’kollomojtë, kemi pi tamel, kejt i kemi pasë taze’
Çfarë dhurate më të madhe mund të ketë njeriu sesa të arrijë një shekull jetë? Cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh nipave e mbesave atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata…
Metije (Hafizi) Zeneli, e lindur në Goden (1906) është njëra nga këto personazhe që kanë shkelur shekullin.
Sipas disa të dhënave, Metija është e lindur në maj të vitit 1913. Tani jeton me familjen e saj në Ramnishtë të Vitisë.
Sikur të ishte i saktë viti i lindjes, i shënuar në letërnjoftimin e vjetër, atëherë nënëlokja Metije del të jetë më e vjetra në Anamoravë e ndoshta edhe në tërë Republikën e Kosovës.
Përkujdesi i familjes së saj për të ishte shumë i mirë, por, mjerisht, vitet e kishin bërë të veten, nënëlokja Metije mbahej mirë për vitet që kishte, dukej pak e lodhur, por edhe të dëgjuarit e kishte tradhtuar pak.
Ende mund të ngjitej vetë në katin e tretë të shtëpisë dhe ende kryen obligimet fetare pesë herë në ditë.
Meqenëse, kur ne e vizituam ishte shumë e lodhur, nuk e munduam shumë me pyetje, por ajo me gjithë atë na dha disa porosi dhe na i tha disa tregime të jetës së saj.
Pasi i kishte përjetuar të gjitha trubullinat e luftërat e ndodhura në kto troje, e pyetëm: cila nga luftërat ka qenë më e vështira?
Përgjigjja e lokes Metije ishte me shumë kuptim dhe porosi; “LUFTAT KEJT JANË TË KQIJA LOKES, S’KA LUFTË MA PAK T’KEQE, KREJT JANË NJAJTË”.
Për jetën në rininë e saj ajo thotë: “Me burrin jam kanë rahat, po koha u kanë e shtirë lokes, na ktyne hëre dalshum n’ara pa u zdritë, der lejke dielli unë i korrsha shtadhetë duj. Jeta u kanë e shtirë, nuk u kanë e lehtë për neve, ka pasë skame te kejt, jo veç me ni familje, u kanë shtirë me sigurue buken e gojës për një vjet”.
Për jetëgjatësinë e saj lokja Metije thotë:
“Na lokes kemi hanger bukë t’kollomojtë, kemi pi tamel taze, kejt i kemi pasë taze. Sigurisht që edhe kjo naka nimu me jetue gjatë, po edhe puna na ka nimu sigurisht. Neve në kohën tonë, kur ka lindë dilli, na e kemi pasë t’korrt gjysë are, kena punue krejt familja, neve dilli kurrë s’na ka zanë n’dyshek, a sot lokes as n’shehër as n’katun teri sahati 10 s’ninë as gjim as gjam”.
Në pyetjen time për ndonjë porosi për ne, ajo thotë; “Lokes sa kam kalue une n’jetë, pom’doket që i kam 200-300 vjet. A pse na kemi jetue shum po të tham lokja që na s’kena hangër kurr veshtaçki (gjëra artificiale) si ju sot, e sot edhe uji e ajri m’doket janë veshtaçki”.
Duke i dëshiruar jetë të gjatë, u largova nga lokja Metije, e cila na përshëndeti me dorë derisa u larguam nga oborri. (Ramnishtë, 6 dhjetor 2018) /Muhamed Sadriu – ‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësishtë kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.


