Nagavci e sfidon Kastratin, rihap shkollat në Busavatë e Karaçevë

Ministrja e Arsimit, Arbërije Nagavci ka vizituar sot fshatrat Busavatë e Karaçevë të Kamenicës, ku para disa ditësh rifilloi mësimi në shkollat, të cilat, sipas reformës së kryetarit të Komunës, Qendron Kastrati ishin mbyllur.

Ajo u shpreh e emocionuar që ndau gëzimin me fëmijët e këtyre fshatrave dhe premtoi mbështetje në funksionimin e shkollave.

Ky është statusi i ministres së Arsimit pas vizitës në dy fshatra të Kamenicës:

Emocion i veçantë për mua të jem pjesë e gëzimit të qindra fëmijëve të Kamenicës që kanë rifilluar procesin mësimor, ndonëse me mësim alternativ e të përshpejtuar.

Vizitova sot shkollat e dy fshatrave të Kamenicës, SHFMU “Hasan Prishtina në Busavatë si dhe SHFMU “Asllan Thaçi” në fshatin Karaçevë e Poshtme, për të parë ecurinë e mësimit alternativ të përshpejtuar.

Për së afërmi u njoftuam me kushtet që ofrojnë objektet shkollore, me sfidat e mësimdhënësve, dëshirën e prindërve që fëmijët e tyre të mos mbesin jashtë bankave shkollore, por dhe me ngarkesa të shumta emocionale.

Mësimdhënësit e këtyre shkollave u shprehen të gatshëm që të vazhdojnë punën në mënyrë që mësimi i përshpejtuar të realizohet ashtu siç është paraparë dhe të kompensohen orët e humbura për nxënësit e nivelit të arsimit fillor (I-V) dhe nxënësit e nivelit të arsimit të mesëm të ulët (VI-IX).

Është e rëndësishme që përkundër dallimeve, të gjejmë pikat e përbashkëta e të angazhohemi për të mirën e fëmijëve.

Ne si MASHTI edhe njëherë ia bëjmë të qartë të gjithëve, se do të ofrojmë mbështetje në ofrimin e kushteve të përshtatshme, vetëm e vetëm që fëmijëve t’u garantohet e drejta për shkollim, përfundon Nagavci.