Naim Murseli mohon gjithçka: S’kam pagu, s’kam porosit dhe s’e kam ndihmu Granit Plavën me vra gruan time

I akuzuari Naim Murseli duke dhënë mbrojtjen para Gjykatës Themelore në Prishtinë, deklaroi se nuk e ka paguar as porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt dhe as nuk e ka ndihmuar të akuzuarin Granit Plava ta kryejë këtë vrasje.

Duke vazhduar deklarimin rreth natës kritike të 29 nëntorit 2023 kur u vra Liridona Ademaj, i akuzuari Naim Murseli tha se rrugës nga restoranti për në shtëpi, ishte ndalë në pompë të derivateve. Tha se ishin me veturën e tani të ndjerës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas tij, më pastaj, gjatë rrugës, tani e ndjera i kishte thënë të ndalen për të blerë vezë, e të cilat ishte ndalë dhe i kishte blerë në një dyqan, duke shtuar se pronari i dha çokollata për fëmijët.

Më pastaj, rrugës kur ishin në Bërrnicë, para se të mbërrinin në shtëpi, ai thotë se papritmas nga ana e majt u doli një person i maskuar në mes të rrugës, duke ua drejtuar armën.

“Unë isha vozitës, Liridona parasgjere, fëmijët mbrapa. Edhe Liridona thotë “o kuku hajni” dhe unë e ngadalësoj, i çoj duart, krejt kohën personi i maskuar afrohej te dritarja ku ishte Liridona. Liridona e hap dritarën në gjysmë a s’e di sa, edhe unë i kisha paratë në xhep se kuletë s’kam mbajt kurrë. Paratë që i kisha dhe telefonin ia dha. Ai e zgjatë dorën edhe i merr. Telefonin jo unë, Liridona ia jep të vetin, edhe paratë sa i kishte disa qindra euro, jo më shumë”, deklaroi Murseli.

Sipas tij, ai mendoi që grabitja po bëhej për veturë, andaj për këtë arsye edhe ka dalë prej veturës. Ai deklaroi se kur doli nga vetura, ai person ia kërkoi telefonin, të cilin edhe ia dha.

“Kam hapë derën e fëmijëve. Fëmijët kanë nga, edhe unë pas tyre. Kam mendu se kur largohem unë, ai ia liron rrugën Liridonës, e merr kerrin. Pas disa sekondash kam dëgju krismën. Mu m’u ka duk si dy krisma. Në atë moment kam mendu po shtie në drejtim tonë dhe s’kam guxu me u kthy mbrapa. Kam vazhdu me nga me fëmijë. Pas disa sekondash e kthej kokën, e shoh që Liridona nuk është askund. Vjen vetura e zezë, ajo në pamje dhe në atë moment, ajo veturë vjen në drejtim tonin shumë afër me na goditë. Vetëm i kam kap fëmijët dhe kam vazhdu drejt me shpejtësi të madhe. I njëjti ka qenë me maskë”, tha Murseli.

Ai shtoi se në aktakuzë ngarkohet se e kishte mbajtë me dorë tani të ndjerën në momentin e fundit të jetës.

“Ju betohem në dy fëmijët që i kam se Naim Murseli as në makinë s’ka qenë kur është vra Liridona. Kjo është ideja e rikonstruimit të vendit të ngjarjes. Unë vrapoj te dyert e shtëpive, trokas, por nuk e hap askush në ato tri shtëpi. Doli një grua në dritare në shtëpinë e fundit dhe i them lajmëro policinë. Më tha nuk di- ishte e moshuar. Për këtë arsye kam vazhdu te marketi”, vazhdoi deklarimin Murseli.

Ai më pastaj thotë se vazhdoi te dyqani ku edhe e priti policinë, e bashkë me ta shkoi në vendin e ngjarjes. Tha se nuk e kishin lejuar policët të dilte nga vetura.

Atë natë, ai thotë se e kishte marrë Valon Lluka dhe kanë shkuar në hotel, duke shtuar se ishte i shokuar. Murseli thotë se pasi doli nga stacioni i policisë, fëmijët e i kishin marrë familja e Liridonës.

Naim Murseli thotë se arsyeja pse shkoi atë natë në hotel ishte se policia i kanë thënë të mos largohej nga Prishtina sepse do e thërrasin të nesërmen prapë. Po ashtu, i akuzuari thotë se bashkë me të qëndroi edhe Kushtrim Kokalla.

Ai thotë se shtëpinë në Bërnicë e kanë blerë me kredi bashkë me tani të ndjerën, kredi e cila ka qenë me hipotekë, ku janë dhënë 60 mijë euro- apo 20% e shumës totale, pjesa tjetër me kredi.

I akuzuari thotë se ditën e varrimit ka qenë në Prokurori, ku është marrë në pyetje përsëri edhe ai edhe fëmijët. Tha se ua morën pasaportat atij dhe fëmijëve, e pasi përfundoi intervistimin, pasaportat ua kthyen dhe prokurorja i tha se është i lirë të shkojë në varrim.

“Nuk kam pagu, nuk kam porositë dhe nuk kam ndihmu Granit Plavën me vra gruan time, dhe siç thash, betohem në dy fëmijët e mi se Naim Murseli nuk ka qenë në veturë në momentin e vrasjes. Kam qenë së paku 20-30 metra larg dhe shyqyr Zotit as fëmijët nuk e kanë pa ngjarjen. Çdo gjë tjetër është shpifje”, tha i akuzuari.

Seanca ndërpriet dhe vazhdon më 11 shkurt 2026./BetimipërDrejtësi/