Naser Osmani dënohet me 3 vjet burgim për fondin e 3 përqindëshit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarve Naser Osmani  dhe Atdhe Gashi për shkak se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, duke i dënuar secilin me nga tri vite burgim.

Në këtë rast, Naser Osmani, ish-deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Atdhe Gashi dhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit”. Për të akuzuarin Bujar Bukoshi procedura është veçuar.

Të akuzuarit obligohen që në mënyrë solidare të kompensojnë dëmin 255 mijë e 398 euro e 41 centë, në afat prej 15 dite prej plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi në buxhetin e Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e Gjykata Themelore në Prishtinë.

Të njëjtit obligohen që secili veç e veç të paguaj shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 500 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe shumën prej 20 euro në emër të Fondit te Viktimave te Krimit.