Naser Pajazitaj dorëzon kërkesën për dëmshpërblim, ia kërkon Shtetit mbi 1.1 milion

Mbi 1 milion euro mund t’i kushtojë Shtetit mbajtja në burg e Naser Pajazitajt, për rreth shtatë vjet si i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitajt. 63-vjeçari është liruar nga akuza për vrasje më 6 prill të këtij viti nga Kolegji Penal i Gjykatës Supreme. Gazeta Express ka siguruar kërkesën për kompensim, ku tregohet në detaje se për çfarë po kërkon ai dëmshpërblim.

Naser Pajazitaj ka dorëzuar kërkesën për kompensim te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përmes avokatit të tij Ahmet Tahiri.

Ai po kërkon nga Shteti mbi 1.1 milion euro për vjetët e kaluara prapa grilave si i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Gazeta Express e ka siguruar kërkesën për kompensim që i ka shkuar Komisionit për kompensim dëmi të personave të privuar nga liria pa bazë, ku sqarohet për çka po kërkohet kompensim.

Aty figuron se 107 mijë e 460 euro po kërkohen në emër të qëndrimit në paraburgim, 14 mijë e 400 euro në emër të vizitave familjare në paraburgim, 28 mijë e 800 euro në emër të fitimit të humbur dhe 1 milionë euro në emër të dëmit material. 335 euro të tjera kërkohen në emër të përpilimit të kërkesës për kompensim dëmi.

Më 6 prill të këtij viti, Kolegji Penal i Gjykatës Supreme e ka liruar Pajazitajn nga akuza për vrasje.