Ndaçi pijeni, ndaçi lejeni, por dijeni se cigarja shkurton 20 minuta jetë
Çdo cigare të heq mesatarisht 20 minuta jetë: 22 për gratë dhe 17 për burrat. Sëmundjet që lidhen me duhanin shkaktojnë 93 mijë vdekje çdo vit, vetëm në Itali.
Onkologët kanë propozuar rritjen e çmimit për të frenuar konsumin e cigareve.
Kostoja vjetore për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar e tejkalon 24 miliardë euro, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.
Shoqata Italiane e Onkologjisë Mjekësore, së bashku me fondacionet kryesore të onkologjisë, Fondacionin AIRC, Fondacionin “Umberto Veronesi” dhe Fondacionin AIOM kanë nisur një peticion për një projektligj popullor kundër pirjes së duhanit – me qëllim uljen e konsumit duke rritur koston e një pakete cigareje me 5 euro.
Nisma synon të mbledhë 50,000 nënshkrime të certifikuara deri në pranverë – për miratimin e një ligji që do të rriste taksat e akcizës për të gjitha produktet – duke përfshirë cigaret elektronike dhe duhanin – për të dekurajuar pirjen e duhanit, i cili është faktori kryesor i rrezikut për kancerin.
“Parlamenti italian pritet të diskutojë projektligjin e propozuar të iniciativës popullore brenda tre muajve”, tha nënkryetarja e Senatit, Mariolina Castellone.

