Ndahet nga jeta artisti, Naski Abdixhiku
Ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare artisti Naski Abdixhiku nga Tërnoci i Bujanovcit, me qëndrim prej më shumë se 30 vitesh në Zvicër.
Siç merret vesh nga familjarët e tij, artisti me qëndrim në Friburg të Zvicrës ka ndërruar jetë nga një sulm në zemër.
Naski kishte të kryer Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.
Në kohën kur ishte gjimnazist, në vendlindje ai qe angazhuar aktivisht në aktrim dhe me talentin e tij ishte dalluar në shumë shfaqje teatrale në vendlindje dhe në Kosovë.
Qysh nga bankat e gjimnazit u mor me poezi: ka shkruar dhe botuar në gazeta, revista të kohës dhe në portale të ndryshme e në rrjetin social.
Më vonë ai ka shfaqur talentin e ti edhe në artin figurativ – në pikturë. Ka organizuar shumë ekspozita në disa qytete të Zvicrës por edhe jashtë saj, duke u mirëpritur nga artdashësit.
Po ashtu ai ka shpërfaqur talentin e tij edhe në artin kinematografik, duke luajtur në role të ndryshme në disa filma të realizuar në diasporë dhe në Kosovë.
Naski ka lënë pas bashkëshorten dhe katër vajza.


 
 
						 
						