Ndahet nga jeta gazetarja Shukran Nobërdali-Qyqalla
Është ndarë sot nga jeta gazetarja e RTK-së, Shukran Nobërdali-Qyqalla. Ajo kishte një kontribut të çmuar në gazetarinë kosovare.
Shukran Nobërdali-Qyqalla ishte pjesë e RTK-së që nga themelimi, më 1999, ku për vite me radhë ishte e angazhuar në redaksinë informative si gazetare.
Ajo njihej gjithashtu si autore dhe udhëheqëse e emisionit për shëndetësi “Medika”, të cilin e realizoi me përkushtim për më shumë se dy dekada.
Kolegët dhe bashkëpunëtorët e saj e vlerësojnë për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e vazhdueshëm në informimin publik.
Varrimi bëhet nesër (e enjte) në orën 13:00, në varrezat e qytetit në Dragodan të Prishtinës.

