Ndahet nga jeta Ibrahim Imeri, djali i plakut të plisit dhe flamurit, Bajram Llovca

Pas një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare Ibrahim Imeri, djali i veprimtarit të ndjerë, Bajram Llovca, i cili njihej si plaku i plisit dhe i flamurit.

Familja ka bërë të ditur se varrimi i të ndjerit bëhet nesër (e premte), me namazin e xhumasë, në varrezat e fshatit Llovcë të Gjilanit.

Një telegram ngushëllimi për familjen Imeri e ka dërguar edhe kreu i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, si më poshtë:

Telegram ngushëllimi

Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, z. Lutfi Haziri, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Imeri, me rastin e ndarjes nga jeta të Ibrahim Imerit.

“E nderuara familje Imeri,

Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Ibrahim Imerit, djalin e veprimtarit të madh e simbolit të qendresës, Bajram Llovca dhe vëllain e msuesit martir, Rahim Imeri.

Ibrën do ta kujtojmë përgjithmonë si njeri të mirë e të dashur, si familjar të mirë e si profesionist shembull në zejen e tij prej zdrukthtari, të cilën e ushtroi me zell deri pak muaj para se të ndërronte jetë.

E dashur familje Imeri, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e Ibrahimit, sikurse edhe shokëve, miqve e farefisit.

Zoti ua lehtësoftë dhimbjen!

Qoftë i parajsës shpirti i tij fisnik!