Ndahet nga jeta infermierja e Gjilanit, Lutfije Iljazi-Llutka
Është ndarë sot nga jeta në moshën 68-vjeçare, infermierja ikonë e QKMF-së në Gjilan, Lutfije Iljazi.
Llutka, siç njihej këtu, luftoi me sëmundjen për më shumë se një vit, por nuk ia doli.
Lutfije Iljazi ishte sinonim i përkushtimit, humanizmit dhe kujdesit të pandërprerë ndaj pacientëve.
Përgjatë gjithë punës së saj, ajo ishte një mantelbardhë e respektuar dhe e dashur, si nga kolegët ashtu edhe nga qytetarët që e njohën.
Me një karrierë të gjatë në shërbimin shëndetësor, Lutfije Iljazi ka qenë dëshmitare e zhvillimit të sistemit të mjekësisë familjare në Gjilan për shumë vite duke kontribuar me profesionalizëm, përvojë dhe dashuri në profesionin e infermierisë.
Kolegët e përshkruajnë si një ikonë të infermierisë lokale, gjithmonë e qetë, e kujdesshme dhe e gatshme për të ndihmuar pacientët.
Lutfije Iljazi përfaqëson brezin e artë të infermierëve që i kanë shërbyer shëndetit publik me nder, integritet dhe shpirt të madh human.
Kontributi i saj do të mbetet frymëzim për gjeneratat e reja të profesionistëve shëndetësorë në Gjilan./Mediafokus

