Ndahet nga jeta në mërgim rapsodi Ilaz Berisha nga Smallusha e Lipjanit

Ka ndërruar jetë në Zvicër, në moshën 81-vjeçare, mërgimtari kosovar Ilaz Shefki Berisha nga Smallusha e Lipjanit.

Ilaz ka qenë veteran dhe kultivues i këngës shqipe, i cili ka kënduar nëpër skena e veçmas nëpër ahengje të ndryshme familjare e shoqërore, gjithandej nëpër trevat shqiptare.

Në karrierën e tij, bashkëpunoi me vëllain Xhemajl Berisha dhe rapsodë tjerë të Lipjanit, Gjilanit, Kamenicës.

Në vitin 1970 incizoi 3-4 disçe të gramafonit dhe emisione në RTP (televizionin e Prishtinës).

Ilazi njihet edhe për humorin e tij, i cili pëlqehej nga publiku, vlerë kjo që krahas këngës e bënte të dashur e të pëlqyer nga njerëzit, sidomos nëpër oda.

Në vitin 1980 migroi në Lucern të Zvicrës, ku punoi e jetoi deri në vdekje.

Ndonëse larg vendlindjes, si i përndjekur nga regjimi, Ilazi nuk u nda nga kënga, e cila ishte melhem për mërgimtarë.

Ai, gjithmonë, me aq sa pati mundësi e ndihmoi vendlindjen dhe njerëzit e saj, sidomos bashkatdhetarët, për t’u punësuar, po sikur edhe studentët në shkollim, të sëmurët, kur kishin nevojë edhe shërim e raste tjera të ndryshme, së bashku me shokun e tij, tani të ndjerë, Tahir Ibrahimin (Muçibaba) nga Gjilani.

Për 16 vite sa jetoi në pension, nuk pranoi të merrte pensionin e pleqërisë nga buxheti i Kosovës, si shumë të tjerë. /Mediafokus.info