Ndahet nga jeta në moshën 58-vjeçare shefi i kadastrës
Ish-kreu i Kadastrës është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare. Artan Lame vdiq në një spital në Gjermani, ku ndodhej për një ndërhyrje kirurgjikale.
Lame, një figurë e njohur në jetën publike të vendit, ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme.
Ai ka shërbyer si zëvendësministër i Turizmit, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t dhe Drejtor i Përgjithshëm i Kadastrës.
Po ashtu ishte veprimtar i shoqërisë civile, ndërsa ka dhënë kontribut edhe si publicist, opinionist dhe studiues i historisë shqiptare.
Si publicist, ai u vlerësua me çmimin “Book of the year” në vitin 2010 nga MIC London për librin “Medaljet Shqiptare 1914-2002″.
Në vitin 2012, Lame u dekorua nga Presidenti i vendit me “Medaljen e Mirënjohjes” për aktivitetet e 100-vjetorit të Pavarësisë.
I lindur në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, Artan Lame do të mbahet mend gjatë për kontributin e tij në vend./rtsh

