Ndahet nga jeta specialistja e Pediatrisë, Dr. Florije Krasniqi

Doktoresha Florije Krasniqi e ka humbur betejën me sëmundjen, pas një përballje të gjatë, duke u ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e saj e kanë bërë të ditur familjarët përmes njoftimit në rrjetin social Facebook.

Me pikëllim të thellë i njoftojmë të gjithë familjarët, farefisin, miqtë, shokët, koleget dhe dashamirët se me 22 prill 2025, në moshën 66 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, gati 4 vjeçare, vdiq nëna, bashkëshortja, gjyshja, motra, tezja, halla, mbesa, kunata dhe kushërira jonë,
Dr. Florije Krasniqi, specialiste e pediatrisë.
Varrimi bëhet me datë 23.04.2025, në varrezat e Prishtinës, në ora 16:00.

Dr. Flora Krasniqi, specialiste pediatre, ishte fëmija i dytë i Hamit dhe Vezire Krasniqit nga Damaneku i Malishevës. Familja e saj jetoi dhe veproi në Fushë Kosovë, ku ndërtuan jetën mes përpjekjeve të mëdha dhe sfidave të kohës.

Ajo u martua me Zenel Kelmendin nga familja Vuthjan, me prejardhje nga Llabjani i Pejës. Nga kjo dashuri u kurorëzua një familje e bukur, me tri fëmijë: Atdhetaren, Shkëlqimin dhe Mërgimen.

Jeta e Dr. Florës nuk ishte e lehtë. Ajo përjetoi sakrifica të mëdha dhe vuajtje të rënda nga pushteti fashist sllav.

Familja e saj ishte e persekutuar dhe u përballë me dhimbje të mëdha, veçanërisht gjatë masakrës së Fushë Kosovës, ku u masakruan babai, nëna, vëllai Dr. Fatmiri, Arbeni dhe Blerta – vajza 13-vjeçare e Dr. Fatmirit.

Këto plagë të thella në shpirtin e saj, bashkë me sfidat e jetës dhe sëmundjen e rëndë (CA), që e shoqëroi për një kohë të gjatë, nuk ia thyen shpirtin luftarak.

Por sot, Dr. Flora humbi betejën e saj tokësore.

Ajo do të mbetet përjetësisht e gjallë në kujtimet tona. Do të ndriçojë me rrezet e diellit mbi këtë tokë që e deshi aq shumë – shkruan Berat Haxhijaj.