Ndahet nga jeta Sylejman Shaqiri, ish-drejtor i përgjithshëm i RTK-së

Ka ndërruar jetë ish-drejtori i përgjithshëm të RTK-së, Sylejman Shaqiri nga Ferizaj.

Sylejman Shaqiri e filloi rrugëtimin e tij profesional në gazetari në fillim të viteve ’80, duke lënë gjurmë në secilin institucion ku punoi.

Karrierën e nisi në “Radio Ferizaj”, ku për dy dekada u dallua si gazetar, kryeredaktor dhe më pas drejtor.

Në vitin 1988, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Prishtinës, ku shërbeu si gazetar dhe redaktor përgjegjës i Programit Informativ Politik, deri në mbylljen e dhunshme të këtij institucioni nga regjimi serb.

Pas kësaj periudhe sfiduese, kontributin e tij e vazhdoi në Radio-Kroacia në Zagreb dhe më pas në Radio-Tiranë.

Pas çlirimit të vendit, Shaqiri u rikthye në Ferizaj, për të dhënë kontributin e tij në rindërtimin e mediave lokale.

Në vitin 2000, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Kosovës, fillimisht si autor dhe redaktor i emisioneve informative dhe debatuese, më pas si drejtor i Radio-Kosovës dhe radios Blue Sky, kryeredaktor në RTK, dhe producent ekzekutiv për programet e minoriteteve dhe transmetimet ndërkombëtar të RTK-së.

Në vitin 2010, arriti në kulmin e karrierës së tij, duke u emëruar drejtor i përgjithshëm i RTK-së.

Me rastin e ndarjes nga jeta të Sylejman Shaqiri, familja e të ndjerit në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe Klubin e Gazetarëve “Haki Braha” në Ferizaj orën 14:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, organizojnë mbledhje komemorative.

Kryetari i Ferizajt ka ngushëlluar familjen Shaqiri me rastin e vdekjes së Sylejman Shaqirit.

Aliu thotë se me dhembje e pikëllim të thellë, u morë lajmi për ndarjen nga jeta të gazetarit të mirënjohur, ish-drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, mikut të tij të çmuar, ferizajasit të shquar, Sylejman Shaqiri.

“Sa e rëndë është kjo ditë, ky pikëllim për amshimin e Sylës, të rrallit personalitet që gjithë jetën e tij, rrezatoi mirësi, virtyte të çmuara njerëzore, vlera të dëshmuara profesionale e mbi të gjitha misionin që ai kishte gjithë jetën, misionin për të vërtetën, për informimin e publikut”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Sot Ferizaj është më i varfër, pa emrin e tij, pa Sylejman Shaqirin, që mishëronte ferizajasin e shquar e të përkushtuar në profesion.

Gazetaria shqiptare humbi një nga emrat e përveçëm të saj, porse krenarë na mban trashëgimia e tij, vepra jetësore që la prapa, si udhërrëfim për brezat e sotëm e të së ardhmes. Lamtumirë miku im, Sylejman Shaqiri! Lamtumirë ferizajas i rrallë! Ngushëllime familjes Shaqiri, kolegëve të profesionit, miqve e të njohurve të të ndjerit! Shpirti i tij, u prehtë në paqen e parajsës së pa skaj”, përfundon telegrami i ngushëllimit i kryetari të Ferizajt.