“Ndale luftën, sill pengjet në shtëpi”, pothuajse 1 milionë izraelitë protestojnë kundër Netanjahut
Qindra mijëra qytetarë izraelitë u mblodhën në mbrëmje në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv, duke kërkuar një marrëveshje urgjente për lirimin e pengjeve të mbajtura nga grupet terroriste në Gaza dhe përfundimin e luftës që ka tronditur rajonin prej muajsh.
Protesta u shoqërua me fjalime emocionuese nga prindërit e disa prej pengjeve që aktualisht mbahen në Gaza. Ofir Braslavski, babai i Rom Braslavskit, një nga pengjet izraelitë, tha se djali i tij po vuan rëndë dhe se qeveria e ka braktisur për arsye politike.
“Romi im nuk ka më kohë. I gjithë vendi e pa, por qeveria zgjodhi të zgjerojë luftën në vend që të sjellë pengjet në shtëpi”, tha ai mes lotësh.
“Djali im po vuan për ndërtimin e vendbanimeve në Gaza. Kjo është e papranueshme”, u shpreh ai.

“Çdo sulm i ri i rrezikon jetët e atyre që ende janë atje”, tha Sasha Trufonov.
“Ju mund të bëni histori, të sillni paqe dhe të ktheni vëllain tim të vogël në shtëpi”, shtoi Yair Horn, vëllai i një pengu që ende mbahet në Gaza.
Protestuesit kërkuan që qeveria izraelite të ndalojë përshkallëzimin e luftës dhe të angazhohet në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për rikthimin e pengjeve. Disa prej familjeve paralajmëruan se nuk do të ndalen derisa pengu i fundit të kthehet në shtëpi.

