Ndërgjegjësimi kundër dhunës në familje, një sfidë e madhe në kushtet e pandemisë

Kosova ka adaptuar përvoja të mira të barazisë gjinore sa i përket anës ligjore, por zbatimi i tyre në praktikë vazhdon të mbetet ende një sfidë për shoqërinë e këtushme, me gjithë përparimet e dukshme që janë bërë në këtë drejtim.

Në këtë drejtim, është i domosdoshëm një ndërgjegjësim më i madh për ta raportuar dhunën, sikurse edhe një mbrojtje e plotë e viktimave e deri te ri-integrimi dhe rehabilitimi i tyre, sidomos në situatën aktuale me pandeminë, kur jemi të detyruar të mbyllemi të gjithë, thotë Lindita Salihu, zyrtare për barazi gjinore në Gjilan.

Ajo thotë se me rastin e hapjes së fushatës “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës”, sot më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, Zyra për Barazi Gjinore në kuadër të Njësisë për të Drejtat e Njeriut, i ka rekomanduar Drejtorisë së Arsimit që në të gjitha shkollat e Komunës së Gjilanit, gjatë kësaj periudhe, një orë mësimi t’i kushtohet informimit – ndërgjegjësimit për dhunën në baza gjinore, ku gratë dhe vajzat tona, fatkeqësisht i gjejmë viktima të kësaj dhune.

Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të të gjitha institucioneve përgjegjëse për reagim të shpejtë ndaj thirrjeve emergjente për ndihmë në rastet e dhunës në familje, fatkeqësisht ende ka shumë nevojë të punohet në luftimin e këtij fenomeni.

Para së gjithash, duhet të mendojmë mirë se në çfarë situate mund të gjenden ato gra të cilat rrinë mbyllur bashkë me abuzuesit e tyre të mundshëm, duke mos pasur zgjidhje tjera më të mira, thotë Lindita Salihu, zyrtare për barazi gjinore.

‘Për të avancuar të drejtat e grave si dhe për të parandaluar dhunën në familje, në nivelin maksimal të mundshëm, kërkohet angazhim më serioz i të gjithëve në mbrojtje të kësaj kategorie, duke insistuar në rend të parë në zbatimin me përpikëri të ligjeve të aplikueshme në vend’, thotë Salihu

Përndryshe, pozita e vajzave dhe grave ende mbetet e rëndë, derisa ato, rrjedhimisht detyrohen të qëndrojnë në ambiente dhune, duke mos pasur zgjidhje më të mira dhe duke vazhduar së kërkuari drejtësi.