Ndërroi jetë artisti e veprimtari i madh i Tupallës, Shefki Halimi
Në moshën 77-vjeçare ndërroi jetë artisti e veprimtari i madh i Tupallës së Medvegjës, Shefki Halimi, anëtar i Grupit folklorik „Shpëtimi“, një njeri me vlera të larta nga Medvegja.
Njoftimin e ka dhënë prof. Rexhep Abazi, udhëheqës i Grupit folklorik „Shpëtimi“ në Medvegjë.
Shefkiu u lind në Tupallë, më 9 tetor të vitit 1943, ku e mbaroi filloren, por kushtet e rënda nuk e lejuan të shkonte më tutje në shkollë.
Heret i vdes babai dhe atij i bien në supe të gjitha punët e familjes, kuptohet si djali më i madh në familje. Ishte natyrisht shumë intelegjent, e para së gjithash punëtor e skajsmërisht i ndershëm. E zavendësoi babain dhe u përkujdes për vëllezërit e motrat më të vogla se ai.
Në vitin 1972 merr vendim historik për familjen e tij me qëllim për t‘i ofruar fëmijtë afër shkollës. Blenë shtëpi e tokë në Matiçan të Prishtinës, por vendlindjen e Medvegjën nuk i harroi kurrë.
Së bashku me bashkëshorten e tij, Hatixhe Hesetin nga Sfirca, i rritën, i shkollian dhe i martuan tre djem e katër vajza, prej të cilëve kanë shumë mbesa e nipa.
Shefki Halimi është i njohur në Medvegjë e në Kosovë edhe për aktivitetin e tij në pajtimin e njerëzve në ngatërresa, ku dallohej me mendjehollësi, drejtësi e seroozitet të veçantë.
Ai ishte edhe artist i mirë i instrumenteve popullore, sidomos i kavallit, fyellit, mezhnicave etj.
Ishte anëtar i Grupit folklorik „Shpëtim“, Medvegjë shumë vite me radhë, ku dha një kontribut të madh në prezentimin e kulturës e folklorit të shqiptarëve të Medvegjës.
Ishte njeri i dalluar i odës shqiptare. Plisin e bardhë shqiptar nuk e hoqi kurrë nga koka dhe shumë njerëz që nuk ia dinin emrin, por edhe nda respekti, e quanin Plisbardhi i Medvegjës.
Në festivalin e Klinës ‘I këndojmë lirisë’ u nderua me çmimin Veteran i festivalit.
Puna, vepra dhe kontributi i tij do të mbesin në kujtesën e përjetshme tek të gjithë ata që e njohën e vepruan me te.
I qoftë i lehtë dheu i atdheut!



 
 
						 
						