Ndërron jetë 29-vjeçarja e aksidentuar një ditë më parë

Një 29-vjeçare e cila ishte pasagjere në automjetin e aksidentuar një ditë më parë, ka ndërruar jetë nga plagët. Makina në të cilën ajo ndodhej si pasagjere, doli nga rruga të enjten në segmentin Grunjas-Kakaç të Pogradecit. 

“Në vijim të informacionit paraprak datë 07.10.2021, i cili bën fjalë për një aksident rrugor, strukturat e lartpërmendura, filluan procedimin penal për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, ndaj shtetasit K. G., 42-vjeç, banues në fshatin Shqitas, Maliq, pasi në segmentin rrugor Grunjas-Kakaç, ky shtetas duke drejtuar mjetin tip “Ford”, ka dalë nga rruga dhe për pasojë kanë marrë dëmtime pasagjerja, shtetasja Xh. H., 29-vjeçe, banuese në fshatin Shqitas, Maliq, e cila gjatë transportimit për mjekim më të specializuar në Tiranë, ka ndërruar jetë, si edhe drejtuesi i mjetit K. G., i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë.