Ndërron jetë baca Sylë, i dënuar me burgim në rastin ‘Sopoti’
Në moshën 78-vjeçe ka ndërruar jetë sot Sulejman Sulejmani nga fshati Sopot i Kumanovës, i cili ishte dënuar pafajshëm në rastin e montuar “Sopoti”.
Sulejmani, apo i njohur si Baca Sylë ishte arrestuar në maj të 2003 me akuzën e montuar se bashkë me disa bashkëfshatarë të tjerë kishte vendosur një minë shpërthyese në dalje të fshatit, ku kishin humbur jetën dy ushtarë polakë të misionit të NATO-s, përcjell INA.
Baca Sylë ishte ndër 11 të dënuarit e fshatit me 156 vite burg dhe i vuajti afër 7 vite.
Pas rigjykimit të rastit, me insistim të bashkësisë ndërkombëtare, u zbulua se gjithçka ishte montuar nga shërbimi sekret DSK dhe agjentë të saj.
Padrejtësitë ndaj tij ishin të shumta, pasi që ai vetëm dy muaj më parë ishte pajisur me shtetësinë e Maqedonisë, edhe përkundër faktit se me dekada të tëra apo gjysmë shekulli po jetonte në këtë vend.
Sulejman Sulejman ishte pjesëmarrës në luftën e Kosovës 1999, si një nga pjesëtarët e grupit që kishte kaluar Pashtrikun në dimrin e acartë të asaj periudhe.

