Ndezi zjarrin për të djegur mbeturina – përfunduan në flakë 7 hektarë grurë në Viti
Një incident me pasoja të konsiderueshme është shënuar në fshatin Sllatinë e Poshtme të komunës së Vitisë, ku një zjarr i shkaktuar nga pakujdesia ka përfshirë një sipërfaqe të madhe toke me kulturë gruri.
Policia ka arrestuar një 27-vjeçar, pasi dyshohet se më 9 korrik kishte ndezur një zjarr për djegien e mbeturinave, i cili më pas kishte dalë jashtë kontrollit.
Si pasojë, janë djegur 7 hektarë tokë të mbjellë me grurë, ndërsa vlera e dëmit sipas ankuesit llogaritet rreth 5 mijë euro.
Zjarrfikësit dhe patrulla policore kanë intervenuar për të lokalizuar zjarrin, ndërsa falë pamjeve të kamerave të sigurisë në afërsi të lokacionit, njësia hetimore ka arritur të identifikojë të dyshuarin.
I njëjti është intervistuar në prani të avokatit ka pranuar fajësinë, duke deklaruar se nuk kishte qëllim ta përhapte zjarrin.
Me urdhër të Prokurores së Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për veprën “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. (foto ilustrim)

