Ndikim politik: Motra deputetit emërohet anëtare e Bordit të UP’së
Motra e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Tolaj, Shpresa Gjonbalaj është emëruar anëtare e Bordit të Universitetit të Prishtinës.
Këtë vendim e ka marrë ditë më parë ministri i Arsimit, Ramë Likaj, i cili vjen nga kjo parti.
Vite më parë, Gjonbalaj ka qenë edhe anëtare e kryesisë së AAK-së në Pejë. Emërimi i saj është bërë meqë javë më parë dha dorëheqje njëra nga anëtaret e Bordit të Universitetit, Mimoza Hasani-Pllana, raporton KOHA.
Ministri Likaj nuk është përgjigjur në pyetjet e “Kohës” rreth ndikimit politik në emërimin e Gjonbalajt në Bord të UP-së.
E vetë ajo ka thënë përmes telefonit se nuk është emëruar për arsye politike, por për shkak të përvojës së saj në institucione.
“Unë nuk jam anëtare e asnjë subjekti politik, me siguri të plotë unë e them qe që 4 vjet e kam pushuar aktivitetin tim politik. Kam vazhduar aktivitetin tim profesional, kam mbrojtur doktoraturën, jam doktorë e shkencave të historisë së artit në Akademinë e Studimeve në Tiranë. Bagazhi im profesional dhe institucional ka bërë që të jem pjesë e këtij këshilli. Nuk e konsideroj se ka pasur ndonjë imponim, vëllai im është bërë deputet. Pasi kam mbaruar doktoraturën, pasi e kam mbrojtur disertacionin tim doktoral, nuk e konsideroj që ka ndërhyrje politike”, ka thënë Shpresa Gjonbalaj, anëtare e Bordit të UP-së.

