Ndotja dhe degradimi mjedisor në nivel alarmant
SABEDIN SHERIFI
Ndotja është degradim i një ekosistemi nga futja e substancave ose rrezatimeve që ndryshojnë shumë ose më pak funksionimin e këtij ekosistemi.
Për më tepër, fjala gjithashtu i referohet ndonjëherë pasojave të fenomeneve gjeologjike, të tilla si një shpërthim vullkanik.
Me ndotje të mjedisit jetësor nënkuptojmë ndryshimet e padëshiruara të vetive fizike, kimike dhe biologjike të ujit, ajrit ose të tokës.
Burimet e ndotjes së mjedisit jetësor ndahen në 3 grupe: ndotja e ajrit, e ujit dhe e tokës.
Këto janë definicione që mund t`i lexosh kudo në literaturën botërore, apo kombëtare, por sa në fakt jemi pjesëmarrës në ndotjen apo mbrojtjen e natyrës në këtë drejtim, sigurisht që kjo temë është tabu për shumë njerëz në rrethe të ndryshme sociale.
Dikur kjo temë ishte tabu pasi që akuzonim pushtuesin, por sot që jemi të lirë, kënd do akuzojnë?
Sigurisht vetëkritika tek ne nuk ekziston, por edhe kritika ndaj të tjerëve kalon shpesh në heshtje.
Për ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, fajtor tek ne kryesisht është faktori njeri. Njeriu ndot ujin, ajrin dhe tokën.
Shpesh në mënyrë të pa vetëdijshme ndoshta, më shumë nga mungesa e nivelit të lartë kulturor, ekonomik, vakuumit ligjor apo përtacisë së institucioneve për mbrojtjen e mjedisit.
Shkas për një shkrim të tillë ishte shëtitja gjatë vikendit rreth lumit të Livoçit, rreth e për qark pendës po më të njëjtin emër.
Gjatë gjithë rrugës që bëra, nga shtëpia ime dhe anasjelltas, shpesh gjatë ecjes, kishte aq shumë mbeturina sa që më shumë ngjasonte në ndonjë deponi se sa në një fushë të mbjellë me kultura bujqësore.
Liqeni artificial, thjesht ishte një varrezë për çdo gjë, si p.sh: bërllok, materiale inerte, plastikë, shishe plastike, hekurina etj.
Peshkatarët, çuditërisht kalojnë të qetë, duke vëzhguar prenë e tyre. Habitesha si nuk iu bënin përshtypje gjithë ato mbeturina toksike pasi që habitati i gjallesave ishte i tmerrshëm.
Mali më pisha afër liqenit, ishte një gjë për t`u lakmuar nga larg, por nëse hynë nëpër të, do pendohesh, sepse mund të pësosh lëndime serioze nga mbeturinat që janë hedhur aty.
Sigurisht gjithë kjo ndotje është bërë nga banorët e këtyre anëve të Gjilanit dhe rrethinë.
Jemi dëshmitarë të përditshmërisë sonë që ndotja e ajrit është në nivel shumë të lartë, duke u bazuar në qendrat monitoruese kombëtare dhe ndërkombëtare, por çuditërisht askush nuk ngrit zërin për mbrojtjen e ajrit apo përmirësimin e cilësisë së tij.
Problematika e ndotjes mjedisore, nuk është vetëm problem lokal, apo kombëtar, por është edhe ndërkombëtar.
Situata katastrofale është në vendet në zhvillim apo vend e treta, siç është Azia dhe Afrika.
Vendet e zhvilluara kanë bërë politika shumë të zhvilluara për mbrojtjen e ekosistemit me ligje përkatëse.
Hedhja e mbeturinave në vendet e ndaluara, ndëshkohet me masa të rrepta ligjore dhe kjo, në një farë forme, shpesh i bënë njerëzit më të kujdesshëm në mbrojtjen e natyrës.
Por te ne kjo nuk funksionon në praktikë. Ndoshta këto gjëra janë të sanksionuara në letër, por thjesht mbeten të tilla edhe për një kohë.
Ndotja e ajrit është alarmante kur marrim parasysh që ndotës kryesor edhe këtu është faktori njëri, në mënyrë indirekte.
Djegia e plasmasave si gomave, vajrave të makinave, deponive të mbeturinave janë ndotës kryesor të ambientit tonë.
Në ambientin ku jetoj shpesh në mbrëmje bloza mbulon gjithë rajonin dhe dalja në ajër të pastër, nga kundërmimi është i pa mundur.
Urojmë që ambientalistët të bëjnë diçka në këtë drejtim dhe të shpëtojnë së paku ata që më së paku kanë faj, fëmijët tanë.
………………………………..
(Autori është studiues i fushave shëndetësore)


 
 
						 
						